Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, gjatë vizitës në Hagë ka vlerësuar se Kosova po shënon përparim në përmirësimin e klimës së investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.
Gjatë qëndrimit të saj, ajo është takuar me ambasadorin e Kosovës në Holandë, Dren Doli, ambasadoren holandeze në Kosovë, Carien Boven, si dhe me përfaqësues të biznesit dhe investitorëve, ku u diskutua për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Sipas saj, Kosova po zhvillohet si një ekonomi dinamike, me reforma që synojnë krijimin e një tregu më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm.
Ajo ka theksuar se investimet e huaja janë në rritje, ndërsa sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit po bëhet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit.
Ministrja ka përmendur edhe rëndësinë e transformimit digjital dhe nismën “Politikat Industriale 2030”, e cila synon zhvillimin e zonave ekonomike moderne dhe përmirësimin e kushteve për bizneset, me fokus te gratë dhe të rinjtë ndërmarrës.
Gjatë vizitës është theksuar edhe rëndësia e forcimit të lidhjeve ekonomike përmes iniciativave të reja që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe interesit të investitorëve holandezë për tregun kosovar.




