Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka rikujtuar një artikull të botuar vite më parë në gazetën amerikane “The New York Times”, ku kishte paralajmëruar për rolin destabilizues të Rusisë në Ballkan.
Sipas tij, vlerësimet e asaj kohe janë konfirmuar nga zhvillimet e sotme në rajon dhe nga agresioni rus në Ukrainë, duke e cilësuar këtë si një realitet të ri gjeopolitik.
Hoxhaj ka theksuar se Rusia e ka parë Ballkanin si një hapësirë për të penguar konsolidimin e Kosovës dhe zgjerimin euro-atlantik, duke përdorur Serbinë si instrument të ndikimit të saj strategjik.
Ai ka rikujtuar se kishte paralajmëruar për përdorimin e konflikteve të ngrira, instrumentalizimin e pakicave dhe krijimin e tensioneve të kontrolluara si pjesë e kësaj qasjeje.
Sipas tij, zhvillimet aktuale tregojnë se këto paralajmërime janë shndërruar në realitet, ndërsa sfidat e sigurisë në Evropë po rikthehen në forma të reja.




