Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë thirrje për përshpejtimin e investimeve në stadiumin “Adem Jashari”, duke theksuar nevojën për një stadium të dytë me standarde ndërkombëtare.
Ai tha se aktualisht Kosova ka vetëm stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshje ndërkombëtare, gjë që sipas tij krijon rrezik në rast të mungesës së alternativave.
Gjatë vizitës në Mitrovicë, Ademi u takua me kryetarin Faton Peci, ku u diskutua për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe ndërtimin e fushave të reja të futbollit.
Ai kërkoi nga institucionet që të mos ketë vonesa në projektin e stadiumit, duke paralajmëruar se ndeshjet mund të rrezikojnë të zhvillohen jashtë vendit nëse punimet nuk përshpejtohen.
Po ashtu, u diskutua edhe rinovimi i objekteve sportive dhe krijimi i kushteve më të mira për grupmoshat e reja në Mitrovicë.




