Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, ka theksuar se drejtësia për viktimat mbetet një nga sfidat më të mëdha për shtetin dhe shoqërinë.
Ai tha se lufta përfundon vetëm kur drejtësia arrin tek të prekurit, duke shtuar se mijëra gra dhe burra ende presin ndëshkimin e krimeve të kryera ndaj tyre.
Hamza u shpreh se dhuna seksuale gjatë luftës ka qenë një strategji e qëllimshme, por se qytetarët e Kosovës nuk u thyen dhe ruajtën dinjitetin e tyre.
Ai ngriti shqetësimin për mungesën e drejtësisë dhe theksoi nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për të mbijetuarit.
Në fund, Hamza vlerësoi guximin e tyre, duke thënë se Kosova qëndron pranë tyre dhe se historia do ta kujtojë forcën e tyre.




