Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar unanimisht vendimin e Qeverisë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, si pjesë e një misioni ndërkombëtar stabilizues në Gaza.
Ky vendim u mbështet nga të gjitha partitë në komision, ndërsa u vlerësua si një hap i rëndësishëm për rritjen e rolit ndërkombëtar të Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, deklaroi se ky vendim dëshmon pjekurinë e shtetit dhe profesionalizmin e FSK-së, duke theksuar gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësi edhe përtej kufijve të vendit.
Nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Shqipe Selimi theksoi se FSK-ja është e përgatitur të kontribuojë në misione paqeruajtëse krah aleatëve ndërkombëtarë, duke shtuar se institucionet do të vazhdojnë ta mbështesin atë me bazë ligjore, financiare dhe profesionale.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Fadil Hadergjonaj, e cilësoi pjesëmarrjen në këtë mision si një zhvillim pozitiv për Kosovën dhe FSK-në, duke kërkuar mbështetje të plotë për pjesëtarët e saj, si në aspektin logjistik ashtu edhe në pajisje.
Vendimi pritet të shqyrtohet më tej në Kuvend./EO/




