Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Takimi është mbajtur në margjinat e Samitit IV të Diasporës, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë në interesin e përbashkët kombëtar dhe proceset integruese euro-atlantike.
Në qendër të diskutimeve ka qenë edhe roli i Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB, si dhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e koordinimit të përbashkët për angazhimin e diasporës shqiptare, si një potencial i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të dy vendeve.
Në kuadër të samitit, Konjufca ka marrë pjesë edhe në një panel diskutimi për rolin e diasporës dhe nevojën për përfshirje më të madhe të saj në proceset zhvillimore.




