Sociologu Fadil Maloku ka vlerësuar se mungesa e një takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, nuk përbën vetëm një zhvillim të zakonshëm politik, por tregon një krizë më të thellë në kulturën e komunikimit politik në vend.
Sipas tij, kjo situatë reflekton një transformim të ngadaltë të demokracisë procedurale drejt një forme më të fragmentuar dhe konfliktuale të qeverisjes, ku mungesa e dialogut po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Ai ka theksuar se moskomunikimi politik po përdoret si mjet për ruajtjen e pushtetit dhe se ngërçet institucionale, përfshirë procesin e zgjedhjes së presidentit, janë shembuj të kësaj gjendjeje.
Maloku e ka cilësuar situatën si tipike për demokracitë hibride dhe të brishta, duke paralajmëruar për një çrregullim më të thellë strukturor të shtetësisë në Kosovë dhe një drejtim të ri politik që ai e përshkruan si fillim të një “Republike të tretë”.




