Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se institucionet e vendit nuk do të lejojnë që dhimbja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës të mbetet e heshtur apo e padukshme.
Në një tryezë të organizuar për 14 Prill – Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, ai theksoi rëndësinë e kujtesës dhe përgjegjësisë institucionale, duke vënë në dukje se për vite me radhë kjo temë ka qenë e stigmatizuar dhe e fshehur.
Kurti përmendi punën e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të të mbijetuarve, duke thënë se deri më tani janë njohur 1,925 raste, ndërsa shumë të tjerë ende hezitojnë të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje.
Ai shtoi se institucionet po vazhdojnë me dokumentimin e krimeve të luftës dhe zbatimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale, duke theksuar angazhimin për drejtësi dhe barazi.




