Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka bërë thirrje për angazhim më të madh institucional në mbështetje të personave që kanë mbijetuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë një aktiviteti simbolik në Kuvendin e Kosovës, ku u ndezën qirinj në nderim të viktimave dhe të mbijetuarve, ajo tha se shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë në heshtje, të përballur me stigmatizim dhe paragjykime.
Sipas saj, edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, shumë të mbijetuar ende nuk kanë arritur të flasin hapur për përvojat e tyre dhe shpesh mbeten të izoluar në shoqëri.
Ajo u bëri thirrje institucioneve dhe deputetëve që të hartojnë politika dhe ligje që krijojnë hapësira të sigurta për të mbijetuarit dhe ndihmojnë në uljen e stigmës që ata përballojnë çdo ditë.




