Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për mënyrën e emërimit të Kryesisë së re.
Sipas Hotit, përbërja e re është shpallur në kundërshtim me statutin e partisë, i cili përcakton se Kryesia duhet të emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm me propozim të kryetarit. Ai theksoi se çdo devijim nga rregullat statutare dëmton besimin e brendshëm dhe kredibilitetin publik të partisë.
Ish-kryeministri ka vlerësuar gjithashtu se jashtë Kryesisë kanë mbetur figura me përvojë dhe peshë politike, përfshirë drejtues të degëve të mëdha dhe ish-zyrtarë të lartë, gjë që sipas tij mund të cenojë balancat brenda partisë.
Hoti ka kërkuar që përbërja e re të dërgohet për miratim në Këshillin e Përgjithshëm dhe të jetë më gjithëpërfshirëse, duke shtuar se LDK-ja ka nevojë për unitet dhe respektim të rregullave në këtë fazë politike.




