Projekti për ndërtimin e parkut diellor në Rahovec po përballet me vonesa, pavarësisht se konsorciumi fitues është përzgjedhur më shumë se dy vjet më parë. Afati për fillimin e prodhimit të energjisë është caktuar për nëntor 2026, por punimet ende nuk kanë nisur.
Safet Gërxhaliu ka kritikuar situatën, duke thënë se sektori energjetik në Kosovë po pengohet nga ndikimi politik, procedurat burokratike dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale.
Ai thekson se vendi po mbetet prapa në investimet për energji të ripërtëritshme, ndërsa bizneset dhe investitorët po hasin vështirësi, çka sipas tij po ndikon që Kosova të vazhdojë të varet nga importi i energjisë elektrike.




