Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka deklaruar se Kosova po përballet me kriza të vazhdueshme ekonomike dhe rritje të pandalshme të çmimeve, për të cilat sipas tij institucionet nuk po ndërmarrin veprime konkrete.
Ai për Expose të Gazeta Blic, ka theksuar se inflacioni, rënia e aktivitetit ekonomik dhe largimi i investitorëve të huaj janë tregues të një situate të rënduar ekonomike në vend.
Shahini ka kritikuar edhe mungesën e masave qeveritare për të përballuar rritjen e çmimeve të produkteve esenciale dhe të derivateve, duke theksuar se këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejt në koston e jetesës.
Sipas tij, tregtarët vendorë nuk e diktojnë çmimin e naftës, por veprojnë sipas tregjeve ndërkombëtare, ndërsa qeveria duhet të ndërhyjë me politika fiskale dhe masa të përkohshme apo afatgjata në varësi të krizës.
Ai paralajmëroi se mungesa e veprimeve mund të çojë në rritje të varfërisë dhe përkeqësim të gjendjes sociale në vend./Gazeta Blic/




