Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Stefan Radulović, i dyshuar për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë.
Aktualisht, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë po mbahet seanca dëgjimore për shqyrtimin e kësaj kërkese. Sipas dokumenteve të Prokurorisë, i pandehuri është ndaluar për 48 orë, duke filluar nga data 17 prill 2026, në ora 15:30.
Prokuroria ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në prova dhe përsëritjes së veprës penale, duke kërkuar kështu caktimin e paraburgimit.
Sipas hetimeve, më 24 shtator 2023, rreth orës 01:00, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, i pandehuri, së bashku me Milan Radoičić dhe persona të tjerë, dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës nga Serbia përmes rrugëve malore, pas përgatitjeve të organizuara paraprakisht.
Grupi dyshohet se ishte i armatosur rëndë, me automjete të ndryshme, përfshirë edhe të blinduara, të mbushura me armë, municion dhe pajisje ushtarake. Ata fillimisht bllokuan rrugën në hyrje të fshatit dhe më pas zunë pozicione strategjike.
Sipas Prokurorisë, në momentin kur njësitë policore ndërhynë për të larguar pengesat, ata u sulmuan me armë zjarri dhe mjete shpërthyese. Si pasojë e sulmit u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lënduan edhe disa zyrtarë të tjerë.
Sulmi, sipas aktit, vazhdoi deri në orët e pasdites, kur shumica e grupit u tërhoq në drejtim të Serbisë përmes rrugëve malore.
Prokuroria vlerëson se me këto veprime është synuar destabilizimi i rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë. I pandehuri dyshohet për kryerjen e veprave penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Kryerja e veprës terroriste”, sipas Kodit Penal të Kosovës.




