Në kuadër të Antalya Diplomacy Forum, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6).
Takimi u organizua nga ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, i cili nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të Turqisë për mbështetjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit rajonal, veçanërisht në një kohë sfidash dhe zhvillimesh të reja gjeopolitike. Po ashtu, u diskutua për ndikimin e këtyre zhvillimeve në rajon dhe më gjerë.
Konjufca vlerësoi rolin e Turqisë si një partner të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, duke theksuar nevojën për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.




