Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka sqaruar projektligjin për masat e përkohshme të çmimeve tavan, duke thënë se ai nuk zbatohet në të gjithë tregun, por vetëm për produkte bazë dhe në raste të destabilizimit të çmimeve.
Ajo tha se ligji parasheh ndërhyrje vetëm për një listë të kufizuar produktesh të shportës bazë dhe synon mbrojtjen e konsumatorëve më të ndjeshëm.
Sipas saj, një nga keqinterpretimet lidhet edhe me rolin e Bordit, për të cilin theksoi se është i dizajnuar të jetë i pavarur dhe aktivizohet vetëm kur ka nevojë, pa funksionim të përhershëm apo kosto mujore.
Kusari-Lila shtoi se modeli i propozuar është në përputhje me vendimet kushtetuese dhe synon të sigurojë kontroll të përkohshëm të çmimeve vetëm në situata të jashtëzakonshme.




