Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka paralajmëruar se kriza politike dhe vonesat në formimin e institucioneve po ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit dhe në investimet e huaja.
Sipas tij, përvojat e mëhershme tregojnë se çdo ngërç politik ka sjellë ulje të rritjes ekonomike, ndërsa situata aktuale mund të ketë pasoja të ngjashme edhe në vitin 2026.
Zeka theksoi se investitorët e huaj kërkojnë stabilitet institucional dhe siguri për investimet e tyre, duke shtuar se mungesa e institucioneve funksionale e vështirëson komunikimin dhe bashkëpunimin ekonomik.
Ai bëri thirrje që zgjedhjet dhe formimi i institucioneve të reja të përfundojnë sa më shpejt për të shmangur dëmet ekonomike dhe për të ruajtur besimin e investitorëve.




