Fahrije Hoti ka reaguar pas njoftimit nga ish-presidentja Vjosa Osmani, se ajo i është bashkuar rrugëtimit politik të saj, për zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se nga sot nis një rrugëtim të ri, “krah për krah me Presidenten, Vjosa Osmani”.
Ajo tha se vjen nga Krusha dhe nga një histori sakrifice e grave që, sipas saj, kanë humbur gjithçka por kanë qëndruar të bashkuara dhe të forta.
Hoti theksoi se angazhimi i saj politik nuk është karrierë, por vazhdim i punës dhe përkushtimit që ka bërë gjatë gjithë jetës, duke u fokusuar te gratë, fermerët, të rinjtë dhe familjet që kërkojnë drejtësi dhe mundësi më të mira.




