Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se Njësia A4 e Termocentralit “Kosova A” është kthyer me sukses në operim, pas përfundimit të punimeve të riparimit në sistemin gypor të kaldajës.
Sipas njoftimit, janë plotësuar të gjitha kushtet teknike për nisjen e njësisë dhe procesi i startimit është realizuar në përputhje me standardet e sigurisë dhe ato teknike.
KEK ka bërë të ditur se startimi është kryer në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin energjetik është realizuar me sukses rreth orës 09:00.
Në komunikatë theksohet edhe angazhimi i ekipeve profesionale të mirëmbajtjes mekanike dhe elektrike, të cilat kanë kontribuar në rikthimin e njësisë në funksion.
Sipas KEK-ut, ky proces dëshmon përkushtimin e stafit për të siguruar stabilitet dhe vazhdimësi në prodhimin e energjisë elektrike në vend.




