Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë reaguar ndaj disa raportimeve mediatike lidhur me një raport të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke i cilësuar disa interpretime si të pasakta.
Raporti ishte përgatitur me kërkesë të Zyrës së Avokatit të Popullit të Kosovës dhe është publikuar në fund të prillit nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Ai kishte ngritur shqetësime për mënyrën e zhvillimit të proceseve në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në reagimin e tyre zyrtar, Dhomat e Specializuara theksojnë se raporti nuk konstaton shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, as nuk arrin në përfundimin se praktika e tyre gjyqësore bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas tyre, raporti gjithashtu nuk gjen shkelje të të drejtave të njeriut në vendimet për paraburgim dhe nuk ndikon në punën e gjykatës, duke theksuar pavarësinë institucionale të saj.
Dhomat e Specializuara shtojnë se disa interpretime publike të raportit nuk pasqyrojnë saktë përmbajtjen e tij dhe krijojnë një perceptim të gabuar për funksionimin e gjykatës.
Në reagim theksohet gjithashtu se të akuzuarit kanë mjete juridike në dispozicion dhe se proceset gjyqësore mund të rishikohen në shkallë të apelit.
Gjykata rikujton se në proceset e saj Prokuroria, Mbrojtja dhe Mbrojtja e Viktimave kanë role të ndara, ndërsa vendimet përfundimtare i merr trupi gjykues bazuar në prova dhe ligj.




