Në seancën e së hënës në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, dëshmitarja Helen Fraser ka folur për mënyrën e transkriptimit të audiove nga vizitat në Qendrën e Paraburgimit.
Ajo ka deklaruar se në procesin e transkriptimit është përdorur edhe Inteligjenca Artificiale, pasi nuk kishte transkriptues që e kuptonin gjuhën shqipe. Fraser tha se është fokusuar në dy incizime që lidhen me vizitat në fjalë.
Sipas saj, përdorimi i Inteligjencës Artificiale ka shërbyer si ndihmë për të kuptuar përmbajtjen e audios, por nuk mund të zëvendësojë aspektin njerëzor në transkriptimin e materialeve të vështira dhe të paqarta.
“Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë aspektin njerëzor në transkriptimin e audiove të padëshifrueshme”, është shprehur ajo, duke shtuar se mjeti i ka ndihmuar vetëm për të krijuar një pasqyrë të përgjithshme të përmbajtjes.
Gjatë dëshmisë, Fraser tha se në disa raste reduktimi i zhurmës mund të sjellë edhe humbje të informacionit, ndërsa për transkriptet e përgatitura nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar (ZPS) u shpreh se ato mund të kenë përfituar nga informacioni kontekstual që nuk e kanë pasur përkthyesit.
Ajo shtoi se edhe pse disa përkthyes nuk kanë arritur të deshifrojnë materialet për shkak të cilësisë së dobët të audios, transkriptimi nga ZPS-ja është realizuar duke u mbështetur në kontekst dhe informacione shtesë.




