Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar një mesazh politik ku theksohet rëndësia e unitetit dhe rikthimit te vlerat themelore të partisë, pas tubimit të djeshëm me Vjosa Osmanin.
Në deklaratën e LDK-së theksohet se partia përfaqëson një “shtëpi politike” që, sipas tyre, ka formuar dhe edukuar figura politike me përkushtim ndaj shtetit të Kosovës.
“Kjo është LDK-ja jonë. Kjo është shtëpia politike që na ka formuar të dyve. Shtëpia që na ka mësuar ta duam Kosovën para vetes. Shtëpia që, edhe në ditët më të vështira, nuk e humbi kurrë besimin tek Republika”, thuhet në njoftim.
Mesazhi vijon me thirrje për bashkim të brendshëm dhe forcim të subjektit politik, duke e cilësuar momentin aktual si të rëndësishëm për të ardhmen e partisë.
“Kjo shtëpi sot na thërret të dyve. Është koha t’i japim të gjitha kësaj shtëpie”, thuhet më tej.
Në fund të deklaratës theksohet ideja e një momentumi të ri politik brenda LDK-së.
“Yjet politike na kanë sjellë sërish në një vend. Në të njëjtin vend që ndihemi të dy mirë! Le ta krijojmë këtë momentum në një lidhje që qëndron në kohë. Prandaj sonte, le ta kuptojmë se ky nuk është vetëm bashkim politik. Ky është kthim në shtëpi. Prandaj, mirë se erdhe Vjosë në shtëpi!”, përfundon njoftimi i LDK-së.




