Ambasadori i Kosovës në SHBA Blerim Reka ka pritur një grup ushtarakësh të lartë nga US Army War College në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork.
Në takim morën pjesë 15 ushtarakë nga SHBA, Spanja dhe Kanadaja, së bashku me nënkolonelin e FSK-së Vegim Krelani dhe zyrtarë të Kolegjit të Luftës së Ushtrisë Amerikane.
Gjatë vizitës, Reka prezantoi historikun dhe politikën e jashtme të Kosovës, duke theksuar synimin për anëtarësim në NATO, OKB, BE dhe Këshillin e Evropës.
Ai e cilësoi Kosovën si shtet të ri, demokratik dhe pro-amerikan, duke theksuar mbështetjen e SHBA-së dhe NATO-s në rrugëtimin e saj.
Në fund të takimit, mysafirët u njohën edhe me kulturën dhe traditat shqiptare përmes ushqimeve dhe mikpritjes.




