Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pas incidentit të ndodhur të enjten në Skenderaj, duke thënë se Sami Lushtaku i ka bërë “dhuratën më të mirë politike” kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një postimi në Facebook, Muharremi tha se Lushtaku bëri “gabim trashanik” me sulmin fizik ndaj zyrtarit të Lëvizja Vetëvendosje në Skenderaj, por shtoi se situata, sipas tij, është provokuar prej kohësh nga LVV-ja.
Ai vlerësoi se rasti do të shndërrohet në temë kryesore të fushatës zgjedhore, ndërsa akuzoi Kurtin për instrumentalizim të institucioneve shtetërore për qëllime elektorale.
Sipas Muharremit, zhvillimet e fundit do të largojnë vëmendjen nga temat kryesore që preokupojnë qytetarët, si ekonomia, inflacioni dhe varfëria.
Në fund, ai tha se humbësit më të mëdhenj nga kjo situatë do të jenë qytetarët dhe vetë Kosova.




