Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka reaguar pas renditjes së Kosovës si vendi i dytë më i varfër në Evropë.
Sipas tij, ky raport përbën shqetësim kombëtar dhe dëshmi të dështimit institucional në menaxhimin e ekonomisë, duke theksuar se vendi po mbetet pas në zhvillim krahasuar me rajonin.
Shahini ka kritikuar mungesën e politikave zhvillimore, duke thënë se bizneset në Kosovë po përballen me rritje të kostos së energjisë, burokraci të lartë dhe mungesë të mbështetjes shtetërore.
Ai ka kërkuar masa urgjente për mbështetjen e prodhimit vendor, uljen e barrës fiskale, strategji për investime dhe forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat.




