Dogana e Maqedonisë së Veriut ka konfiskuar rreth 500 mijë euro në pikën kufitare Tabanoc, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si sekuestrimin më të madh historik të valutës së huaj në vend.
Sipas autoriteteve doganore, paratë janë zbuluar në një bunker të ndërtuar posaçërisht brenda një minibusi të një agjencie turistike nga Shqipëria, i cili po hynte në territorin e Maqedonisë së Veriut me shtatë pasagjerë.
Drejtori i Doganës, Boban Nikollovski, ka bërë të ditur se aksioni është realizuar nga ekipet operative, njësia K9 dhe shërbimi i skanerëve mobilë, të cilët kanë identifikuar modifikime të dyshimta në automjet. Gjatë kontrollit janë gjetur 14 qese me gjithsej 500 mijë euro të fshehura në automjet.
Sipas njoftimit, drejtuesi i minibusit, shtetas i Shqipërisë me inicialet Xh.G., është ndjekur penalisht dhe ndaj tij tashmë është marrë vendim nga Gjykata Themelore e Kumanovës.
Paratë dhe automjeti janë konfiskuar, ndërsa shuma e sekuestruar i është dorëzuar Agjencisë për Pronën e Sekuestruar dhe më pas është depozituar në Bankën Kombëtare.




