Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët pas rritjes së rasteve të mashtrimeve përmes SMS-ve që dërgohen në emër të bankave dhe synojnë vjedhjen e të dhënave personale e financiare.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se qytetarët po pranojnë mesazhe të rreme ku paralajmërohen se llogaritë e tyre bankare mund të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme përmes linkeve të dyshimta.
Sipas Policisë, përmes këtyre linkeve mashtruesit tentojnë të marrin të dhënat personale, fjalëkalimet dhe informacionet bankare të qytetarëve, duke mundësuar qasje të paautorizuar në xhirollogari.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në lidhje të panjohura të pranuara përmes SMS-ve apo email-eve dhe të mos ndajnë të dhëna personale në platforma të pasigurta.
Policia e Kosovës ka theksuar se çdo rast i dyshuar duhet të raportohet menjëherë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e qytetarëve dhe luftimin e mashtrimeve elektronike.




