Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur situatë emergjente të shëndetit publik me rëndësi ndërkombëtare pas regjistrimit të një shpërthimi të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos dhe rasteve të konfirmuara edhe në Ugandë.
Sipas infektologut Lul Raka, bëhet fjalë për një variant të tipit “Bundibugyo”, i cili është i rrallë dhe me shkallë të lartë vdekshmërie, ndërsa për të ende nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik i miratuar. Ai ka theksuar se simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, ethe, lodhje dhe dhimbje muskujsh, të cilat mund të përkeqësohen në faza të mëvonshme.
Raka ka deklaruar se Ebola mbetet një nga sëmundjet më të rrezikshme në botë, me vdekshmëri që mund të variojë nga 25 deri në 90 për qind, por ka vlerësuar se rreziku për përhapje në Evropë mbetet i ulët për shkak të izolimit të kontakteve dhe masave të kontrollit.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar edhe raste të fruthit në disa vende, ku ekspertët po shprehin shqetësim për rënien e nivelit të vaksinimit tek fëmijët, duke theksuar se mungesa e vaksinimit po rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjes.




