Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 1 qershor 2026 janë konfirmuar gjithsej 25 raste me fruth në vend, ndërsa gjatë javës së fundit janë regjistruar pesë raste të reja.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, numri më i madh i rasteve është raportuar në Ferizaj dhe Prishtinë me nga gjashtë raste, si dhe në Kaçanik me pesë raste. Raste të tjera janë evidentuar në Deçan, Fushë Kosovë, Gjilan, Lipjan, Obiliq dhe Shtime.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të paraqitjes së simptomave si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në institucionet më të afërta shëndetësore.
Po ashtu, IKShPK ka apeluar te prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen se imunizimi kryhet sipas kalendarit të rregullt në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas institutit, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.




