Policia në Prizren ka arrestuar një person të kërkuar nga drejtësia, i cili ishte dënuar me 2 vite e 1 muaj burgim efektiv për veprën penale “Mashtrim”.
Sipas policisë, zyrtarët e Stacionit Policor në Prizren, përmes njësitit për realizimin e urdhëresave dhe pas veprimeve operative-hetimore, kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë R.Q., 62 vjeç, nga Prizreni.
I dyshuari ishte në kërkim pasi ndaj tij ekzistonte një vendim i formës së prerë i Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin ishte dënuar për veprën penale “Mashtrim”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas arrestimit, ai fillimisht është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa më pas është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit.




