Misioni i KFOR-it, në bashkëpunim me Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, ka organizuar aksione për dhurimin e gjakut në Prishtinë dhe Pejë, me qëllim mbështetjen e pacientëve në nevojë dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore në Kosovë.
Në kampin Film City në Prishtinë, aksioni i organizuar nga personeli i KFOR-it mblodhi 129 dhurues, ndërsa në Camp Villaggio Italia në Pejë morën pjesë 70 dhurues të tjerë.
Sipas KFOR-it, këto aktivitete synojnë të rrisin rezervat e gjakut dhe të ndihmojnë spitalet e qendrat mjekësore, duke dëshmuar njëkohësisht bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet lokale në shërbim të qytetarëve.






