Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke e dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Konflikt interesi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues, gjykata vlerësoi se nuk janë plotësuar elementet e veprës “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, por Shala u shpall fajtor për konflikt interesi në bazë të Kodit Penal të Kosovës.
Dënimi me burg do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë. Po ashtu, ai obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe fondin për kompensimin e viktimave.
I akuzuari nuk ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit, ndërsa ndaj aktgjykimit palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh.
Në këtë rast është përfshirë edhe ish-ministri Vesel Krasniqi, për të cilin procedura është veçuar dhe po trajtohet ndaras.




