Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se ekonomia nuk duhet parë vetëm si numra apo statistika, por si një realitet që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Ai ka thënë se pas çdo treguesi ekonomik qëndrojnë familje, të rinj që vendosin nëse do të qëndrojnë apo të emigrojnë, biznese që marrin vendime për investime dhe punëtorë që kërkojnë dinjitet në punë.
Sipas Gërxhaliut, zhvillimi ekonomik është edhe çështje morale, pasi tregon seriozitetin e një shoqërie ndaj jetës së qytetarëve dhe të ardhmes së vendit.
Ai ka theksuar nevojën për kthimin e potencialit ekonomik në projekt kombëtar, duke vendosur punën mbi propagandën dhe institucionet mbi individët, në mënyrë që ekonomia të shërbejë si bazë për zhvillim të qëndrueshëm dhe unitet shoqëror.




