Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në zbulimin e muralit “Çast” në Therandë, i dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Haxhiu tha se ky mural përfaqëson kujtesë dhe përgjegjësi shoqërore, duke theksuar se kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm kujtim i luftës, por të trajtohet si drejtësi dhe dinjitet për viktimat.
Ajo shtoi se institucionet, familja, shkollat dhe shoqëria kanë rol në trajtimin e kësaj teme, ndërsa theksoi se drejtësia fillon me dëgjimin dhe mbështetjen e të mbijetuarve.
Haxhiu bëri të ditur edhe emërimin e Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani si të dërguara të posaçme për këtë çështje, si dhe hapjen e një zyre për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Në fund, ajo vlerësoi muralin si një kujtesë të përhershme dhe nderim për të mbijetuarit, duke theksuar se kjo e vërtetë duhet të mbetet pjesë e ndërgjegjes publike në Kosovë./EO/




