Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dështuar të zbatojë disa procedura të rregullta të prokurimit për furnizim me acid klorhidrik dhe mazut, duke u detyruar të lidhë gjashtë kontrata përmes procedurës së negociuar në vlerë mbi 1.6 milionë euro.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kjo situatë ka ardhur si pasojë e kritereve të cilësuara diskriminuese në dosjet e tenderit, si dhe mangësive në dokumentacionin e prokurimit.
Raporti thekson se KEK ka nënshkruar tri kontrata për acid klorhidrik në vlerë rreth 240 mijë euro dhe tri për mazut në vlerë mbi 1.4 milionë euro, përmes procedurave të negociuara, ndonëse fillimisht ishin hapur tenderë të rregullt.
ZKA ka evidentuar edhe shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, përfshirë ndarjen artificiale të kontratave me vlera të vogla për furnizime si kushineta, ngjitës dhe tonerë, me qëllim shmangien e procedurave të hapura.
Po ashtu, janë vërejtur mangësi në menaxhimin e kontratave, mungesë dokumentimi për pranimin e mallrave sipas standardeve të kërkuara dhe dobësi në kontrollin e brendshëm.
Në raport thuhet se KEK nuk ka arritur të përditësojë plotësisht regjistrin e pasurive dhe se disa prona figurojnë ende të pasakta ose të pashlyera nga regjistrat.
ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të ndërmarrjes, duke theksuar se janë identifikuar dobësi të shumta në prokurim, menaxhim dhe kontroll financiar.




