Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se vendimi për optimizimin e forcave të KFOR-it në Kosovë nuk prek marrëveshjet ekzistuese ndërmjet Aleancës dhe Kosovës.
Sipas tij, dislokimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri mbetet i kushtëzuar nga marrëveshjet aktuale dhe kërkon miratimin paraprak të komandantit të KFOR-it.
“Procesi i optimizimit nuk prek marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit me Kosovën. Dislokimi i FSK-së në Veri mbetet i kushtëzuar nga marrëveshjet aktuale dhe miratimi paraprak i Komandantit të KFOR-it”, ka thënë zyrtari i NATO-s për REL.




