Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka mbajtur konferencën “She Rises 2026”, me temën “Gratë në biznes në Kosovë – një dekadë progresi dhe vizion për të ardhmen”, ku u diskutua për avancimin e grave në ekonomi dhe sfidat që mbeten ende.
Ministrja në detyrë e MINTI-t, Mimoza Kusari Lila, njoftoi se në kuadër të Agjencisë së re për Ndërmarrësi dhe Inovacion do të krijohet një divizion i posaçëm për gratë ndërmarrëse. Sipas saj, programet mbështetëse do të institucionalizohen dhe do të zgjerohen për të ofruar më shumë mbështetje financiare dhe profesionale për gratë në biznes.
Ajo theksoi se pjesëmarrja e grave në ekonomi është rritur, duke përmendur se sot gratë zotërojnë rreth 18% të bizneseve në vend, krahasuar me 10% në vitin 2017. Po ashtu, u përmend edhe rritja e përfshirjes së grave në borde të ndërmarrjeve publike dhe private.
Në konferencë, përfaqësuesja e organizatës G7, Lendita Kastrati, vlerësoi progresin e arritur, por theksoi se potenciali ekonomik i grave mbetet ende i pashfrytëzuar, pasi ato përfaqësojnë më pak se një të pestën e bizneseve të regjistruara. Ajo e cilësoi fuqizimin ekonomik të grave si një domosdoshmëri për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.
Ndërsa Saxhide Mustafa nga Forumi Ekonomik i Grave kërkoi që politikat për barazi dhe fuqizim ekonomik të kthehen në masa konkrete, duke përfshirë buxhetim gjinor, përmirësim të kushteve të punës dhe mbështetje më të madhe për gratë sipërmarrëse.
Konferenca u mbyll me thirrje për bashkëpunim institucional dhe politika afatgjata që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së grave në ekonomi si pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës.




