Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria do të jetë mbështetëse e çdo iniciative sportive, gjatë pjesëmarrjes në natën finale të Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit”.
I shoqëruar nga ministri në detyrë i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, Kurti tha se ky aktivitet është më shumë se një turne sportiv, pasi përfaqëson kujtesën dhe mirënjohjen për dëshmorët e vendit.
Ai theksoi se dëshmorët ndodhen në themelet e shtetit dhe në rrënjët e lirisë së Kosovës, ndërsa vlerat dhe idealet e tyre vazhdojnë të udhëheqin brezat e rinj.
Kurti u bëri thirrje të rinjve që të angazhohen sa më shumë në sport, duke theksuar se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin aktivitete sportive dhe iniciativa në shërbim të rinisë.
Turneu “Java e Dëshmorëve të Hasit” u zhvillua në Kodrën e Pajtimit, duke mbledhur sportistë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë në nderim të dëshmorëve të kombit.




