Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka vlerësuar se procedurat për ngritjen e aktakuzës lidhur me masakrën ndaj familjes Jashari në Prekaz përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë, por ka theksuar se ky proces është vonuar tej mase.
Në një deklarim për Ekonomia Online, Gucati tha se institucionet e drejtësisë është dashur të vepronin shumë më herët për krimet e luftës në Kosovë, duke e cilësuar procesin si shumë të vonuar, “më mirë vonë se kurrë”.
Ai theksoi se përmes këtyre proceseve duhet të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë të gjithë të përfshirët në krimet e luftës, duke kërkuar zbardhjen e zinxhirit komandues dhe përgjegjësve.
Gucati shtoi se, sipas tij, ekzistojnë ende dëshmitarë të gjallë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve, ndërsa fajësoi administratat ndërkombëtare dhe institucionet vendore për mungesën e aktakuzave ndër vite.
Ai përmendi gjithashtu nevojën që të gjitha masakrat në Kosovë të trajtohen nga drejtësia, duke kërkuar që autorët e krimeve të dalin para gjykatës.




