Kosova rrezikon të humbasë rreth 60 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian nëse deri më 30 qershor nuk arrin t’i zbatojë reformat e kërkuara.
Sipas afateve të përcaktuara, vendi duhet të përmbushë 13 hapat e parë reformues, por procesi është penguar nga mungesa e institucioneve funksionale dhe ngërçi politik, i cili ka bllokuar miratimin e ligjeve të nevojshme.
Ekspertët vlerësojnë se humbja e këtyre fondeve do të ishte goditje për ekonominë e vendit. Reformat që duhet të zbatohen deri në fund të muajit përfshijnë fusha si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, si dhe tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital.
Ndërkaq, deri në dhjetor Kosova duhet të përmbushë edhe 27 reforma të tjera. Mosrealizimi i tyre mund t’i kushtojë vendit mbi 165 milionë euro shtesë nga fondet e Bashkimit Evropian.
BE-ja ka paraparë mbi 880 milionë euro në formë grantesh dhe kredish për Kosovën deri në fund të vitit 2027, me kusht që të zbatohen reformat e dakorduara.




