Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas raportimeve për një përplasje në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke akuzuar grupe kriminale për uzurpimin e Terminalit të Vlorës për më shumë se 10 muaj.
Pacolli tha se kompania MABCO dhe nënkontraktorët e saj kanë mundur të rikthehen në vendet e punës pas një bllokade të gjatë, ndërsa aktualisht po bëhet evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të nisë hetime të plota dhe të pavarura për, siç tha ai, veprimet e grupeve kriminale dhe personave që mund t’i kenë mbështetur ose toleruar ato.
Sipas Pacollit, ngjarjet e ndodhura kanë dëmtuar interesin publik, sigurinë juridike dhe imazhin e Shqipërisë si vend që garanton mbrojtjen e investimeve. Ai theksoi se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat ligjore dhe pronën e kompanisë së tij, duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.




