Analisti Visar Ymeri ka vlerësuar se një nga pengesat kryesore për krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve në Kosovë është gjuha e përdorur nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht nga koordinatorja e komiteteve të kësaj partie, Dejona Mihali.
Duke komentuar sulmet e fundit ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe figurave të tjera politike, Ymeri tha se po zbehet dallimi mes të vërtetës dhe spekulimeve në diskursin publik.
Sipas tij, gjuha e përdorur nga Dejona Mihali dhe zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes paraqet dy probleme serioze: është e papranueshme për komunikimin politik dhe përmban akuza të rënda pa prova.
“Kur një zyrtare e afërt me pushtetin akuzon kryetarin e Prishtinës për përdorim të narkotikëve pa paraqitur asnjë dëshmi, kjo është e papranueshme. Këto sulme pa bazë e dëmtojnë debatin publik dhe e bëjnë të vështirë dallimin mes fakteve dhe spekulimeve”, ka deklaruar Ymeri.
Ai theksoi se kjo mënyrë komunikimi po ndikon negativisht në zhvillimin institucional dhe demokratik të vendit, duke shtuar se problemi buron nga vetë pushteti dhe mënyra se si ai komunikon me publikun.




