Koliti ulçerativ është një sëmundje inflamatore e zorrëve që shkakton simptoma si fryrje, dhimbje barku dhe diarre.
Mjekët rekomandojnë që personat që vuajnë nga kjo gjendje të ndryshojnë dietën, duke konsumuar ushqime të lehta dhe shumë lëngje, me qëllim lehtësimin e simptomave dhe uljen e ngarkesës në sistemin tretës.
Në përgjithësi, këshillohet kufizimi i ushqimeve të pasura me fibra, si drithërat e plota, perimet, frutat, arrorët dhe farat, pasi mund të përkeqësojnë simptomat.
Në vend të tyre, rekomandohen ushqime më të lehta për tretje si orizi i bardhë, drithërat e rafinuara, mish i bardhë, vezët, supat e lehta, si dhe lëngje frutash e perimesh pa fibra të larta.
Megjithatë, kjo dietë duhet ndjekur për një periudhë të kufizuar dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e mjekut, pasi kufizimet ushqimore mund të ndikojnë në mungesën e disa vitaminave dhe mineraleve.




