Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka prezantuar raportin “Krijimi i një Kornize të Nivelit Investues për Energjinë e Ripërtërishme në Kosovë”, ku u theksua rëndësia e energjisë së ripërtëritshme në procesin e tranzicionit energjetik dhe agjendën e gjelbër.
Udhëheqësi i hulumtimit në INDEP, Dardan Abazi, tha se Kosova duhet të kalojë gradualisht nga energjia me linjit drejt burimeve të ripërtëritshme, duke theksuar rëndësinë e një sistemi energjetik më të pastër dhe më konkurrues.
Ekspertja Zanfina Kabashi ngriti si sfidë krijimin e një tregu të qëndrueshëm që mundëson financimin dhe realizimin e projekteve energjetike, duke theksuar hendekun mes objektivave dhe kapaciteteve aktuale.
Nga Ministria e Ekonomisë, Miftar Nika bëri të ditur se deri në vitin 2031 parashihen rritje të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, përmes ankandeve për energji solare dhe të erës, si dhe zhvillimit të prosumerëve.
Ndërkohë, përfaqësuesi i sektorit privat, Bekim Maloku, kërkoi krijimin e një kornize kombëtare investuese për të lehtësuar investimet dhe për të rritur besueshmërinë e Kosovës si destinacion energjetik.




