Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin A.G., i cili dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit mund të zgjasë deri më 22.07.2026, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme mbrojtëse.
Ngjarja ka ndodhur më 22 qershor, rreth orës 08:15, në lagjen Arbanë të Prizrenit, në një objekt banesor. I pandehuri, i cili ishte edhe shofer dhe përgjegjës i pompës së betonit, dyshohet se nuk e ka vendosur në mënyrë të sigurt pajisjen.
Si pasojë, gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri, pompa është rrëshqitur, duke bërë që një gyp të shkëputet dhe të godasë viktimën V.M. në kokë, nga e cila ai ka humbur jetën.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, për të siguruar prezencën e të pandehurit dhe zhvillimin normal të procedurës penale.
Po ashtu theksohet se faza hetimore është ende në fillim, dhe pritet të merren në pyetje dëshmitarët, i pandehuri, si dhe prova të tjera materiale. Gjykata pret që Prokuroria e Shtetit ta trajtojë rastin me efikasitet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.




