Ish-ambasadori i Kosovës, Avni Arifi, ka deklaruar se marrja e presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Irlanda paraqet një mundësi të mirë për Kosovën, duke pasur parasysh mbështetjen që ky shtet i ka dhënë vazhdimisht vendit në proceset integruese.
Megjithatë, ai vlerësoi se mungesa e reformave, ngecja në dialog dhe mosfunksionimi i plotë i institucioneve po e pengojnë rrugën e Kosovës drejt BE-së. Sipas Arifit, asnjë shtet mik nuk mund ta ndihmojë Kosovën nëse institucionet nuk i kryejnë detyrat dhe nuk avancojnë reformat e nevojshme.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për, siç tha, ngecje në proceset integruese, humbjen e fondeve evropiane dhe vonesat në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
Nga muaji korrik, Irlanda do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së, ndërsa zyrtarët irlandezë kanë shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian pas përmbushjes së kushteve dhe reformave të kërkuara.




