Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se edhe persona të tjerë mund të shpallen “Non Grata” nëse konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare.
Ai deklaroi se çdo javë në tryezën e tij mbërrijnë dhjetëra kërkesa nga agjencitë e zbatimit të ligjit, duke e cilësuar këtë si një proces të vazhdueshëm dhe dinamik.
Sipas Lamallarit, masat mund të prekin persona të përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda, mashtrime apo shantazhe ndaj qytetarëve. Ai theksoi se pjesëmarrja e tyre në aktivitete publike apo protesta nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e institucioneve.
“Detyra jonë është të zbatojmë ligjin dhe të mbrojmë qytetarët shqiptarë, pa u ndikuar nga presionet apo debatet publike”, u shpreh ministri.
Lamallari nënvizoi se interesi publik dhe siguria e qytetarëve mbeten prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare.




