Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me autoritetet spanjolle ka realizuar me sukses një operacion për identifikimin dhe arrestimin e një të dyshuari për veprën penale “rrëmbim i fëmijës”.
Sipas Policisë, përmes INTERPOL-it është pranuar informacion nga autoritetet spanjolle se një shtetas gjerman, A.M.L. (1989), dyshohej se kishte rrëmbyer një fëmijë 6-vjeçar dhe mund të ndodhej në territorin e Kosovës së bashku me të miturin.
Pas koordinimit me njësitet relevante, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar më 24.06.2026 në Fushë Kosovë, së bashku me fëmijën.
Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa fëmijës i është ofruar strehim i sigurt dhe trajtim sipas procedurave ligjore.
Më 25.06.2026, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe Qendrën për Punë Sociale, fëmija është kthyer në mënyrë të sigurt tek nëna e tij.




