Një 27-vjeçar shqiptar nga Britania e Madhe, Ardi Balliu, po lufton për jetën pas një aksidenti tragjik gjatë pushimeve në Marbella të Spanjës.
Sipas mediave britanike, ai ka pësuar thyerje të shtyllës kurrizore pasi u hodh me kokë në det dhe nuk arriti të dalë më në sipërfaqe. Si pasojë e lëndimeve të rënda, ai nuk do të mund të ecë më.
Ngjarja ka ndodhur në një plazh të njohur në Costa del Sol, ku ai ndodhej me një mik gjatë pushimeve. Pas zhytjes, shoku i tij ka kërkuar ndihmë kur 27-vjeçari nuk u kthye më në sipërfaqe.
Ai u nxor nga uji nga pushues të tjerë dhe u transportua me helikopter drejt spitalit, ku po merr trajtim intensiv.
Familja e tij ka nisur një fushatë për mbledhje fondesh për ta kthyer në Britani, ndërsa deri tani janë siguruar mbi 34 mijë paund.




