Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se Vidovdani vazhdon të përdoret nga Serbia si një instrument i luftës hibride kundër Kosovës, përmes narrativave nacionaliste dhe simbolikës historike.
Në një analizë të publikuar me titull “Rituali i këmbanave të luftës në Ballkan”, Fetoshi argumenton se Serbia, edhe pas më shumë se dy dekadash nga lufta, vazhdon ta instrumentalizojë historinë dhe mitet kombëtare për qëllime politike.
Sipas tij, Vidovdani është shndërruar në një mekanizëm që ushqen narrativat për “Botën Serbe”, viktimizimin dhe pretendimet ndaj Kosovës, duke penguar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Fetoshi thekson se përmes simbolikës së Betejës së Kosovës dhe Gazimestanit, politika serbe vazhdon të promovojë interpretime që, sipas tij, synojnë mobilizim politik dhe emocional, si dhe shmangien e përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Ai kritikon gjithashtu përdorimin e pretendimeve për represion ndaj serbëve në Kosovë dhe narrativat mbi UÇK-në, duke i cilësuar ato si pjesë të një strategjie të luftës informative dhe propagandistike.
Në fund, Fetoshi vlerëson se derisa Kosova të trajtohet si një mit politik dhe jo si realitet shtetëror, Vidovdani do të vazhdojë të përdoret si simbol i tensioneve dhe përplasjeve politike në rajon.




