E diela ka qenë aktive për një numër të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, të cilët kanë marrë pjesë në garën “Wolverine Challenge” në kampin e Novosellës.
Në aktivitet morën pjesë 11 ekipe nga 9 vende të ndryshme që kontribuojnë në misionin e NATO-s në Kosovë.
Gara përfshinte disiplina fizike si vrapim, ngritje peshe, ushtrime me peshën e trupit si dhe shtytje e tërheqje të automjeteve ushtarake, duke testuar qëndrueshmërinë dhe forcën e pjesëmarrësve.
Sipas KFOR-it, vendin e parë e zuri Lituania, e ndjekur nga Sllovakia dhe Letonia. Aktiviteti është vlerësuar si pjesë e rëndësishme e trajnimeve që forcojnë bashkëpunimin dhe gatishmërinë operacionale të trupave shumëkombëshe në Kosovë.




